Sekretari i Përgjithshëm i Unionit Ndërparlamentar, Martin Chungong i cilësoi sfida çështjet e ushqimit dhe sigurisë ushqimore ndërsa përshëndeti hapjen e Samitit Rajonal Parlamentar, me temë “Rruga drejt sistemeve gjithëpërfshirëse dhe fleksible agroushqimore në rajon”, që po mbahet në Tiranë.

Chungong shprehu angazhimin e Unionit Ndërparlamentar për t’u ofruar parlamenteve një platformë për t’u angazhuar në dialog kuptimplotë dhe zhvillimor për këto çështje kritike.

“Përmes punës tonë, është e qartë që është e nevojshme të përshkallëzohen investimet strategjike për të mbështetur zhvillimin në sisteme agroushqimore të qëndrueshme. Këto janë sisteme që jo vetëm përmirësojnë efikasitetin e burimeve por gjithashtu përmirësojnë sigurimin e ushqimit për të gjithë”, theksoi Chungong.

Ai vuri në dukje se, parlamenti luan rol kritik, që të sigurojë politika që bazohen në barazi.

“Dieta e shëndetshme mbetet luks për disa njerëz, problemet themelore janë në organizimin e sistemeve të ushqimit dhe zinxhirëve të furnizimit. Për të mbështetur parlamentet në përballimin e këtyre krizave IPU dhe FAO kanë miratuar një udhëzues për parlamentet që përfshin veprime konkrete për rishikimin e ligjeve dhe rregulloreve aktuale  për forcimin e sisteme ushqimore”, u shpreh Chungong.

Gjithashtu, vijoi ai gjatë fjalës së tij, ndërlidhja e komisioneve parlamentare është me rëndësi për të siguruar që buxhetet përkatëse të jenë përgjegjëse për objektivat e parashikuara.

Sipas tij, IPU do të vazhdoj të bashkëpunojë me FAO-n, për të nxitur vullnetin politik, me qëllim që sigurimi ushqimor të jetë i lartë dhe në përparësi të parlamenteve.

Chungong,garantoi mbështetje për parlamentet me ekspertizë, udhëzime dhe asistencë teknike në drejtim të sistemeve gjithëpërfshirëse dhe fleksible agroushqimore.

“Po punojmë për një grup instrumentesh për mbikëqyrien e legjislacionit për të çuar përpara legjislacionin agroushqimor sipas standardeve ndërkombëtare”, tha ai teksa vuri në dukje, se, bashkëpunimi midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Unionit Ndërparlamentar ka filluar në vitin 1955, kur Shqipëria u bë anëtare e IPU-së dhe që atëherë, siç tha ai, “Kuvendi i Shqipërisë ka treguar angazhim për qëllimet e përbashkëta për zhvillimin e qëndrueshëm”./ata