Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të mërkurën do të nisë një vizitë katërditore në Ballkanin Perëndimor, gjatë së cilës do të takohet me liderët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnjë e Hercegovinës, Serbisë, Kosova dhe Mali i Zi njoftoi Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Evropian për fqinjësi dhe negociata për zgjerim.

Thuhet se do të ketë një mundësi që Von der Leyen të diskutojë progresin e partnerëve nga Ballkani Perëndimor në rrugën evropiane, si dhe planin e rritjes së Bashkimit Evropian me vlerë 6 miliardë euro.

Presidentja e Komisionit Europian do të vizitojë fillimisht Tiranën, ku do të takohet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Është planifikuar edhe fjalimi i saj në ceremoninë e fillimit të vitit akademik në kampusin e Kolegjit Europian në Tiranë.

Më pas, ajo do të udhëtoj për në Shkup, ku të enjten do të takohet me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe presidenten Gordana Siljanovska-Davkova.

Po të njëjtën ditë, presidentja Von der Leyen do të udhëtojë për në Jablanicë të Bosnjë e Hercegovinë, për të vizituar zonat e prekura nga përmbytjet e fundit. Të premten në mëngjes, ajo do të qëndrojë në Sarajevë, ku do të takohet me anëtarët e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, si dhe me kryetaren e Këshillit të ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krišto.

Më vonë, Von der Leyen do të udhëtojë për në Beograd për takime të planifikuara me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrin Miloš Vučević.

Të shtunën, presidentja e Komisionit Evropian do të qëndrojë në Prishtinë, ku do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti.

Ajo do ta përfundojë udhëtimin e saj në Ballkanin Perëndimor në Podgoricë, ku do të takohet me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatović, dhe kryeministrin Milojko Spajić./TRT