Sipas të dhënave të Bankës Qendrore, Mali i Zi ka 89 qytetarë që kanë më shumë se një milion euro në llogaritë e tyre bankare komerciale.

Ekspertët kërkojnë hetim për llogaritë e zyrtarëve publikë dhe prezantimin e vetingut në luftën kundër korrupsionit dhe abuzimit.

Edhe pse në Mal të Zi ka një trend në rritje të milionerëve, konsulentët financiarë shprehen se 89 është një numër i vogël, duke marrë parasysh numrin e popullsisë.

“Mendoj se këta janë kryesisht njerëz që kanë marrë para në mënyrë ligjore, me shitje apo trashëgimi dhe i mbajnë paratë e tyre në banka. Duke pasur parasysh inflacionin, mbajtja e parave e humb vlerën e saj,” shpjegojnë ata.

Numri aktual i milionerëve në Mal të Zi tregon një numër të madh investitorësh që mbajnë paratë e tyre në llogari, në krahasim me “milionerët e padukshëm” që veprojnë në zonën gri. Dihet se Mali i Zi është një tokë e premtuar për të pasurit, sepse të ardhurat e tyre mbrohen nga taksa jashtëzakonisht të ulëta, theksojnë specialistët.

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit u bën thirrje vendimmarrësve që të nënshkruajnë një marrëveshje ndërkombëtare në mënyrë që shteti të ketë njohuri për statusin pasuror të zyrtarëve në vendet përreth.

“Vetëm Maqedonia e Veriut ka ratifikuar një marrëveshje të tillë, por presim edhe vende të tjera. Do të doja që Mali i Zi të ishte i dyti, që të na mundësojë të kontrollojmë pasuritë dhe të ardhurat në vendet e rajonit kur bëhet fjalë për zyrtarët publikë në Mal të Zi”, tha një zëdhënës i Agjencisë.

Agjencia theksoi faktin se vetëm 37% e zyrtarëve publikë kanë dhënë pëlqimin për akses në llogaritë bankare, duke shtuar se vetingu është zgjidhja më e mirë në luftën kundër korrupsionit dhe abuzimit./Scan