Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi sot marrëveshjen për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Shqipërisë në Forcën Shumëkombëshe Vëzhguese në Sinai.

 

E ftuar në këtë mbledhje, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali dha shpjegime rreth qëllimit dhe risive që sjell miratimi i marrëveshjes.

 

Ministrja sqaroi se Forca Shumëkombëshe Vëzhguese (FSHV) është një organizatë paqeruajtëse ndërkombëtare, e krijuar me marrëveshje ndërmjet Republikës Arabe të Egjiptit dhe Shtetit të Izraelit.

 

“Nëpërmjet kësaj marrëveshje synohet pjesëmarrja e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në misionin e FSHV-së në Sinai, Republika Arabe e Egjiptit. Nisur nga bashkëpunimi i vazhdueshëm dhe i konsoliduar në fushën e mbrojtjes dhe aleanca e ngushtë, që Republika e Shqipërisë gëzon me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë është ndërmarrë nisma për ndjekjen e procedurave ligjore, në mbështetje të pjesëmarrjes së personelit ushtarak të FARSH-it në misionin e drejtuar nga Forca Shumëkombëshe Vëzhguese (FSHV) në Sinai, Republika Arabe e Egjiptit”, theksoi ajo.

 

Edhe anëtarë të tjerë të cilët morën fjalën, lidhur me marrëveshjen vunë në dukje se, marrëveshja që propozohet të ratifikohet është e përbërë prej 4 pjesësh, të cilat janë të ndara në: misioni, rregullimet financiare, administrimi dhe menaxhimi, si dhe klauzolat përfundimtare”.

 

Pas pyetjeve dhe diskutimeve anëtarët miratuan në tërësi marrëveshjen./ATSH