Në takimin e sotëm me strukturat tatimore për prezantimin e planit për luftën ndaj informalitetit, Kryeministri Edi Rama e vuri theksin edhe tek turizmi.

“Si mund të vazhdojmë ne të pranojmë që ndërkohë që këtu Shqipëria është në invazion nga turistë të huaj dhe nga shqiptarët që vijnë gjithmonë e më shumë për pushime, ne të jemi vendi që figuron me më shumë se gjysmën më pak të akomodimeve në territor për numër se sa të gjitha vendet rreth e rrotull”, theksoi Rama.

Tani, tha Rama, mua nuk më figuron që rrugët e Shqipërisë të jenë të mbushura me turistë që flenë jashtë natën, unë nuk kam parë njerëz të shtrirë nga të katërta anët nëpër plazhe, nëpër rrugë, nëpër kodra që flenë jashtë se nuk futen nëpër krevate.

“Unë vetë nuk i kam parë. Ku janë këta? Këta nuk figurojnë në deklarimet e hoteleve, këta nuk figurojnë fare dhe këtë e dimë ne, në deklarimet e këtyre që japin me qira dhoma,  por kjo është temë tjetër dhe këtu nuk i hyjmë në hak atyre që nuk ua kemi kërkuar, me qëllim akoma nuk ua kemi kërkuar që të fillojnë t’i deklarojnë”, nënvizoi Rama.

Prandaj, vijoi Rama, një gjë dua ta përcjell si mesazh.

“Ne nuk duam të bëjmë një operacion represiv, plotësisht të merituar për hir të vërtetës, por ne duam që, në radhë të parë, sipërmarrjet ta marrin mesazhin shumë të qartë. Kemi bërë shumë progres, nuk është se kemi filluar sot sepse po të marrim se ku jemi nisur me informalitetin, me gjysmën e punonjësve që nuk deklaroheshin fare e të tjerë dhe po të shohim sesa e kemi rritur fondin e Sigurimeve Shoqërore, progresi është i konsiderueshëm”, tha Rama.

Mirëpo, shtoi Rama,  Shqipëria ka bërë më shumë progres sesa ç’është bërë progres në këtë pjesë, ekonomia është rritur më shumë sesa figuron si pasqyrë progresi në këtë pjesë dhe nga kjo rritje ekonomike po përfitoni ju të parët siç nuk e kishit menduar ndonjëherë se do të fitonit në Republikën e Shqipërisë dhe ju e dini shumë mirë.

“Po përfitojnë ata që janë të punësuar në sektorin publik ku nuk ka “Po ta jap pa taksa një pjesë të rrogës dhe po ta jap me taksa pjesën tjetër” duke e çuar pagën mesatare në 900 euro në sektorin publik, po përfitojnë patjetër edhe të gjithë komunitetet në formën e investimeve që bën shteti, por nuk po përfitojnë pensionistët nga kjo rritje ekonomike. Ky është momenti kritik i gjithë kësaj rritjeje ekonomike”, tha Rama./ata