Të paktën 19 persona humbën jetën dhe 35 të tjerë u plagosën në sulmet ajrore të Izraelit ndaj komplekseve rezidenciale dhe tregtare në jug dhe lindje të Libanit.

Në deklaratën e Ministrisë libaneze të Shëndetësisë thuhet se 5 persona kanë humbur jetën dhe 21 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmit ajror nga avionët luftarakë izraelitë në komplekset rezidenciale dhe tregtare në lagjen Kessar Zater, në qendër të Nabatieh në jug të Libanit.

Më tej thuhet se 5 persona u vranë dhe 10 të tjerë u plagosën në sulmet ajrore të avionëve luftarakë izraelitë në një lagje në qendrën e rrethit të Hirmilit në lindje të vendit.

Siç raporton agjencia zyrtare libaneze e lajmeve NNA, 2 persona u vranë si pasojë e një sulmi ajror të avionëve luftarakë izraelitë në një shtëpi në vendbanimin Haris të rrethit Bint Jubeil në jug ndërsa 6 persona u vranë nga një sulm ajror në një shtëpi në qytezën Tuffahata në Sidon.

Një person ka humbur jetën dhe 4 të tjerë janë plagosur nga sulmi ajror në një shtëpi në qytetin Nebi Shit në Baalbek.

- Izraeli kryen 5 sulme ajrore në jug të Bejrutit

Izraeli ka kryer 5 sulme të tjera ajrore kundër kryeqytetit të Libanit, Bejrutit, duke shtuar intensitetin e sulmeve ditët e fundit, transmeton Anadolu.

Agjencia zyrtare libaneze e lajmeve NNA raportoi se një nga sulmet kishte në shënjestër një ndërtesë përballë spitalit "Bahman" ku si pasojë e sulmit spitali pësoi dëme të mëdha.

Dy nga sulmet u kryen në rajonin Hurayk ndërsa 3 prej tyre u kryen rreth stadiumit Al-Raye dhe kompleksit Al-Qaim.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee në llogarinë e tij X lëshoi mbrëmë një paralajmërim evakuimi duke shpërndarë 4 harta.

 

- Në sulmet e Izraelit në Liban kanë humbur jetën 2.546 persona

Ushtria izraelite, e cila që nga 8 tetori 2023 ka vazhduar konfliktin e kontrolluar me Hezbollahun, më 23 shtator kreu qindra sulme ajrore në qytetet jugore të Libanit si dhe në rajonet Beqaa dhe Baalbek.

Sipas të dhënave të Ministrisë libaneze të Shëndetësisë, që nga 8 tetori 2023 e deri më tani janë vrarë 2.546 persona, përfshirë 104 fëmijë dhe 194 gra, ndërsa janë plagosur 11.862 persona.

Lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah u vra në sulmet ajrore të ushtrisë izraelite në Bejrut më 27 shtator.

Ndërsa, Hezbollahu i përgjigjet me predha dhe raketa Izraelit. Në këto sulme, të cilat kryesisht kishin në shënjestër bazat e ushtrisë në anën izraelite, nuk janë raportuar dëme të mëdha.

Për shkak të bombardimeve izraelite brenda vendit janë zhvendosur qindra mijëra njerëz.

Teksa vala e migrimit vazhdon nga pjesët jugore të vendit drejt kryeqytetit Bejrut dhe veriut, qeveria e Libanit ka njoftuar se mbi 468 mijë persona të zhvendosur kanë migruar në Siri./aa