Bisedimet me format të kufizuar të grupit ekonomik BRICS kanë filluar në ditën e dytë të samitit të bllokut në qytetin rus Kazan.

Takimi i kryesuar nga presidenti rus, Vladimir Putin, filloi me një fjalim drejtuar liderëve të grupit BRICS, përkatësisht të Egjiptit, Etiopisë, Iranit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilët po marrin pjesë në samitin e bllokut për herë të parë pas anëtarësimit zyrtar në muajin janar.

Midis anëtarëve të bllokut, vetëm Brazili është i përfaqësuar në nivelin e ministrit të Jashtëm, me presidentin Luiz Inacio Lula da Silva që nuk mund të udhëtojë për shkak të një dëmtimi. Ai do të marrë pjesë përmes video-konferencës.

Sipas Kremlinit, agjenda e takimit përfshin një shkëmbim pikëpamjesh si për çështjet globale ashtu edhe për ato rajonale.

Kremlini tha se takimi do të diskutojë tre fushat kryesore të bashkëpunimit të përshkruara nga kryesimi rus i grupit, respektivisht politika dhe siguria, ekonomia dhe financat si dhe kontaktet kulturore dhe humanitare.

"Vëmendje e veçantë do t'i kushtohet çështjes së zgjerimit të mundshëm të BRICS-it përmes krijimit të planifikuar të një kategorie të re të 'shteteve partnere' për organizatën", theksohet në njoftim.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, i cili do të mbërrijë më vonë sot, do të marrë pjesë në seancën e formatit të zgjeruar të samitit si i ftuar dhe do të takohet me presidentin rus Putin në margjinat e samitit.

Samiti treditor përfshin anëtarët e kamotshëm Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut, burimi i emrit të grupit, së bashku me shtetet e anëtarësuara së fundmi, Egjiptin, Etiopinë, Iranin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe./aa