Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka thënë sot se qëndrimi i vendeve të BRICS-it kundër agresionit izraelit do të forcojë kauzën e drejtë të Palestinës.

Gjatë takimit me homologun e tij rus Vladimir Putin në margjina të Samitit të BRICS-it, Erdoğan ka thënë se vazhdimi i mbështetjes së pakushtëzuar me armë dhe municione nga disa vende për Izraelin po e inkurajon Tel Avivin të kryejë agresion, tha Drejtoria e Komunikimeve e Presidencës së Türkiyes në një deklaratë në X.

Në takim u trajtuan sulmet e përshkallëzuara të Izraelit në rajon, zhvillimet në luftën Rusi-Ukrainë, marrëdhëniet dypalëshe midis Türkiyes dhe Rusisë si dhe çështje globale dhe rajonale, tha drejtoria.

Erdoğan ka deklaruar se masakrat izraelite në Palestinë dhe Liban kërcënojnë jo vetëm Lindjen e Mesme, por edhe sigurinë globale.

Ai ka thënë se qëndrimi kundër planeve të Tel Avivit për t’i lënë palestinezët pa tokë në atdheun e tyre është “detyrë humanitare”.

“Presidenti Erdoğan vuri në dukje gjithashtu se koordinimi i ngushtë midis Türkiyes dhe Rusisë për Sirinë u sjell dobi të gjitha palëve relevante”, thuhet në njoftim.

Presidenti turk gjithashtu ka përsëritur vendosmërinë e Ankarasë në luftën e saj kundër të gjitha organizatave terroriste, veçanërisht grupit terrorist PKK/YPG, duke theksuar rëndësinë e kundërshtimit kolektiv të përpjekjeve që minojnë integritetin territorial të Sirisë.

“Presidenti Erdogan deklaroi se marrëdhëniet e Türkiyes me Rusinë janë forcuar dhe se përpjekjet po vazhdojnë për ta vazhduar këtë zhvillim në të gjitha fushat”, tha Drejtoria e Komunikimeve./aa