Në Prishtinë po mbahet edicioni i gjashtë i Festivalit Multikulturor "Të festojmë ngjashmëritë tona" me fokus në artin dhe kulturën e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Nën organizimin e organizatës "Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve" (VoRAE) ky edicion i cili do të mbahet për tre ditë, mblodhi përfaqësues të institucioneve, deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të organizatave dhe pjesëtarë të këtyre komuniteteve pakicë në Kosovë.

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Sylejman Elshani tha se në këtë festival do të prezantohet gjuha, kultura, tradita, doket e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

"Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, përmes artit, ekspozitës, teatrit, këngëve, librave, poezive, vjershave tradicionale, ushqimeve, farkëtarisë dhe zeheve të ndryshme e pasurojnë kulturën e shtetit të Republikës së Kosovës", theksoi Elshani.

Zëvendësdrejtoresha e VoRAE, Vesa Batalli tha se në këtë edicion, për dallim nga edicionet tjera, përmes artistëve të ndryshme do të mbahen shfaqe të ndryshme teatrale. Ajo tha se rëndësia e këtij festivali multikulturor shkon përtej argëtimit dhe festimit.

"Ky festival është një mundësi për të ndërtuar ura të reja mirëkuptimi dhe respekti, për të pranuar dhe vlerësuar diversitetin që na bën më të pasur si shoqëri. Përkrahja e madhe që ky festival ka marrë nga njerëzit ndër vite, ka shtuar dëshirën dhe angazhimin tonë për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe barabartë ku çdo komunitet ndihet i përfaqësuar dhe i vlerësuar", theksoi Batalli.

Në kuadër të festivalit u dha edhe shfaqja "Emri im është Delthan" nga Edis Galush, ku synimi kryesor i performancës ishte promovimi i të mirave që kanë dhënë romët për shoqërinë.

Në edicionin e gjashtë të Festivalit Multikulturor, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të thellohen në çështje të rëndësishme dhe komplekse të shoqërisë kosovare, ku përveç ekspozitës, ata do të kenë mundësinë të përfshihen në diskutime të ndryshme./aa