Maqedonia e Veriut dënoi sulmin e sotëm terrorist ndaj kompleksit të kompanisë së Industrive Turke të Aviacionit dhe Hapësirës (TUSAŞ) në Ankara.

Në një postim në platformën sociale X, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, tha se qëndron në solidaritet me popullin e Türkiyes.

"Unë qëndroj në solidaritet të plotë me popullin e Ankarasë dhe të gjithë Türkiyes pas këtij sulmi të tmerrshëm terrorist. Ngushëllimet e mia të përzemërta për familjet dhe të dashurit e viktimave. Kjo dhunë e pakuptimtë nuk do të triumfojë kurrë mbi paqen", është shprehur presidentja.

Në fund, ajo po ashtu ka shkruar mesazh të shkurtër në gjuhën turke për presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, me fjalët "Güçlü kal (Qëndro i fortë), RTErdoğan".

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ka deklaruar në X: “Mendimet dhe lutjet e mia janë me popullin turk, pas sulmit tronditës terrorist në Ankara”.

“E dënoj fuqishëm këtë akt terrori. Në këto kohë të vështira, ne qëndrojmë të bashkuar me qytetarët e Türkiyes dhe riafirmojmë përkushtimin tonë për paqen dhe sigurinë”, shtoi ai.

Ndryshe, më parë, ministri i Brendshëm i Türkiyes, Ali Yerlikaya, konfirmoi se katër persona kanë humbur jetën dhe 14 janë plagosur si rezultat i sulmit, prej të cilëve tre janë në gjendje të rëndë.

Ai po ashtu tha se dy terroristë të përfshirë në sulm janë neutralizuar./aa