Komandanti i ri i Misionit të NATO-s në Kosovë - KFOR, gjeneralmajor Enrico Barduani, është pritur në takimin e parë zyrtar në Qeverinë e Kosovës me kryeministrin Albin Kurti.

KFOR-i nëpërmjet një njoftimi për media ka bërë të ditur se takimi ishte pjesë e bashkëveprimit të rregullt të komandantit të KFOR-it me partnerët kryesorë në Kosovë.

Komandanti i KFOR-it, Barduani, sipas njoftimit, ka thënë se do të vazhdojnë të kontribuojnë për mjedis të sigurt dhe të qetë, për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, "në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999".

"Kam përsëritur mbështetjen e plotë të KFOR-it për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si platforma e vetme për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dhe arritjen e zgjidhjeve që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Kjo është kyçe për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal", ka thënë Barduani, sipas njoftimit të KFOR-it.

Gjeneralmajor Barduani vuri në dukje angazhimin që të sigurohet koordinimi dhe të zvogëlohet mundësia për veprime që mund të çojnë në tensione. "Kjo do të jetë pjesë e përpjekjeve të mia dhe të gjitha aktiviteteve të përditshme të KFOR-it", shtoi ai.

Gjeneral majori Enrico Barduani është oficeri i 14-të italian që merr komandën dhe do të jetë komandanti i 29-të i KFOR-it. Ai mori komandën me 11 tetor të këtij viti nga paraardhësi i tij, ish-komandanti turk Özkan Ulutaş./aa