Paketa e posaçme e përmirësimeve ligjore për menaxhimin e plazheve sipas Strategjisë Kombëtare të Turizmit 2024-2030 reflekton disa ndryshime, të cilat kanë të bëjnë me një qasje dhe ofertë gjithëpërfshirëse që shkon përtej bregdetit.

Drejtoresha e përgjithshme e Zhvillimit të Turizmit në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Herida Duro tha për ATSH-në se sipas ndryshimeve ligjore që po përgatiten për rregulloren e re të menaxhimit të plazheve lirohen rreth 675 parcela plazhesh, si edhe do të sanksionohet me ligj që në çdo 1000 metra, 300 metra do të jenë detyrimisht publike.

“Kjo sipërfaqe gjithmonë do të jetë më e madhe, pasi vetëm hotelet do të jenë në gjendje të menaxhojnë përkohësisht parcelat e plazheve në proporcion me kapacitetin e dhomave që ofrojnë”, theksoi Duro.

Shqipëria, tha Duro, nuk ofron më vetëm diellin dhe plazhin si produkte turistike kryesore, por edhe turizmin natyror, kulturor, kulinarinë, festat lokale, trende, që kanë krijuar një model të ri të shfrytëzimit të plazheve.

“Ky model i  shfrytëzimit të plazheve do të fokusohet tek e drejta për të shfrytëzuar më shumë hapësira publike ose me një kosto minimale të menaxhuar nga bashkitë, me parimin kryesor se shezlongët nuk mund të jenë model biznesi në vetvete, por duhen parë vetëm si një aksesor shtesë i strukturava akomoduese”, theksoi Duro.

Gjithashtu, vijoi Duro, me rregulloren e re do të forcohen më shumë rregullat e transparencës së çmimeve, si për restorantet ashtu edhe për shezlongët, së bashku me përgjegjësi të shtuara për pushtetin lokal sa i takon administrimit të territorit dhe pastërtisë.

Në Qendrën e Botimeve Zyrtare u publikua dje rregullorja e re, e cila saktëson mënyrën sesi do të procedohet për sezonin e ardhshëm, ku subjektet duhet të përmbushin një sërë kushtesh për të përfituar hapësirë të shfrytëzueshme si stacion plazhi.

Kjo rregullore përcakton kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacioneve të plazhit në të gjitha zonat bregdetare, si dhe në bregun e liqeneve e të lumenjve, të cilat janë identifikuar si zona të përshtatshme për plazhe, me qëllim ofrimin e kushteve të përshtatshme e të standardeve cilësore për pushuesit.

Aplikimet do të bëhen në e-Albania dhe gjithçka do të bëhet në bashkëpunim me njësitë vendore, të cilat do të kenë edhe hartat specifike të hapësirave të disponueshme.

Konkretisht, në pikën 7 të rregullores nënvizohet se në stacionin e plazhit ushtrojnë veprimtarinë subjektet që plotësojnë kriteret e kësaj rregullloreje dhe që lidhin një kontratë qiraje për përdorimin e hapësirës së plazhit, në varësi të kapacitetit të strukturës akomoduese, si dhe rast pas rasti, njësitë e vetëqeverisjes vendore përkatëse.

Në rastin e kërkesave të projekteve me potencial strategjik, sipas përcaktimeve të ligjit nr. 55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, apo kërkesave të investitorëve në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, kontrata për përdorimin e hapësirës së plazhit lidhet sipas akteve ligjore dhe nënligjore përkatëse./ata