Qeveria ka në fokus përmirësimin dhe lehtësimin e procedurave për marrjen e shërbimeve nga qytetarët dhe bizneset.

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj bëri të ditur se “tashmë janë miratuar në qeveri disa VKM të rëndësishme nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, si pjesë e procesit të derregullimit – një nismë strategjike që synon thjeshtimin dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset”.

Sipas saj, ky proces do të reduktojë kohën e shpenzuar për procedura burokratike dhe dokumentacionin e nevojshëm, duke rritur efikasitetin e administratës publike.

“Po ashtu, na afron më pranë objektivit tonë për digjitalizimin e plotë të shërbimeve, me më shumë transparencë, akses të shpejtë dhe modernizim të shërbimeve të administratës”, tha Ibrahimaj.

Ibrahimaj tha se, nga totali prej 60 shërbimesh të ofruara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, 36 shërbime ofrohen online.

“Janë 24 shërbime të tjera që po përmirësohen dhe do të reduktojnë 38% të dokumentacioneve dhe 62% të kohës së marrjes së shërbimit”, u shpreh ministrja./ata