Sot kremtohet Dita e Kombeve të Bashkuara (#UNDay) dhe misioni i vazhdueshëm i OKB-së për të parandaluar konfliktet dhe për të ndërtuar paqen.

Festimet e Ditës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, këtë vit do të jenë pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare dhe me këtë rast, një koncert i mrekullueshëm është planifikuar për mbrëmjen e sotme në kryeqytet.

Dita e Kombeve të Bashkuara festohet çdo vit më 24 tetor, duke shënuar miratimin e Statutit të OKB-së në vitin 1945, nga liderët botërorë në San Francisko. Ky moment thelbësor krijoi Kombet e Bashkuara, të cilat kanë për qëllim promovimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe parandalimin e konflikteve pas Luftës së Dytë Botërore. Statuti përcakton qëllimet dhe parimet themelore të OKB-së, duke u fokusuar në paqen, sigurinë dhe përparimin shoqëror.

“Në fund të fundit, gjithçka mbetet janë vlerat. Ne duam që bota që trashëgojnë fëmijët tanë të përkufizohet nga vlerat e mishëruara në Kartën e OKB-së: paqja, drejtësia, respekti, të drejtat e njeriut, toleranca dhe solidariteti”, deklaroi në këtë përvjetor, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Sot, OKB-ja ka 193 shtete anëtare, duke e bërë atë një nga organizatat ndërkombëtare më të mëdha. Çdo shtet anëtar përfaqësohet njëlloj në Asamblenë e Përgjithshme, duke nxitur perspektiva të ndryshme dhe vendimmarrje të përbashkët për çështje globale. Kjo përfshirje lejon OKB-në të përballojë sfidat urgjente si varfëria, pabarazia dhe ndryshimet klimatike në mënyrë efektive./ata