Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit ka në programin e këtij muaji 18 aktivitete. Kryefjala e programit do të jetë konkursi ndërkombëtar vokal që vjen për herë të parë në Shqipëri, “Voci Mascagnane”.

Në një postim online, drejtoresha e TKOBAP, Abigeila Voshtina, shkroi se, sipari do të hapet me koncertin “Beethoven Celebration”, për të vijuar me Festivalin Barok “AlBa”.

Më pas artdashësit do të mund të ndjekin operën “La Boheme”, e cila do vijë si rivënie përgjatë 6 ditëve, duke mos harruar dhe baletin “Zhizel”, në datën 6 prill, përshtatur për fëmijët e familjet. Ndërsa Ansambli Popullor do të jetë në turne, që nga Tirana e deri në Ulqin, me këngë e valle popullore shqiptare.

Për muajin prill, TKOBAP premton këto e plot aktivitete të tjera që do të përfshijnë të gjitha grupmoshat./ata