Policia e Korçës ka sekuestruar 195 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, e cila u gjet brenda një magazine, e përshtatur për tharjen e bimëve narkotike dhe përgatitjen për shitje.

Në kuadër të operacionit të koduar “Voskopi” policia ka ndërhyrë në ambientet e magazinës në pronësi të shtetasit A. D., në fshatin Voskop, dhe ka arrestuar në flagrancë: A. D., 43 vjeç, banues në fshatin Voskop, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja e energjisë elektrike dhe impulseve telefonike”; G. G., 43 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”; A. B., 43 vjeç, banues në fshatin Bulgarec dhe R. H., 35 vjeç, banues në Cërrik, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Gjithashtu, njofton policia në ambientet e magazinës, u kapën në flagrancë 3 shtetase për të cilat nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Në vijim të hetimeve, policia bën të ditur se është identifikuar dhe shpallur në kërkim S.D, 38-vjeç, banues në fshatin Voskop i cili dyshohet si i përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën të kultivuara 2 bimë narkotike, si dhe sasi të vogla të lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis.

Vijon puna për kapjen e këtij shtetasi dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme./ata