Filipinet urdhëruan sot "mobilizim të plotë" të forcave të armatosura pasi stuhia e fortë Trami përmbyti qytete dhe vrau të paktën 40 njerëz.

Presidenti Ferdinand Marcos Jr. urdhëroi forcat e armatosura të Filipineve të mobilizojnë burimet e tyre për të ndihmuar në operacionet e ndihmës, thuhet në një deklaratë zyrtare.

Stuhia tropikale Trami, e njohur në vend si Kristine, ka goditur rëndë vendin ishullor të Azisë Juglindore me rrebeshe dhe erëra të mëdha.

Më shumë se 20 nga viktimat kanë humbur jetën në rajonin e goditur rëndë Bicol.

Marcos urdhëroi gjithashtu vendosjen e helikopterëve presidencialë për të ndihmuar viktimat e tajfunit, ndërsa Policia Kombëtare e Filipineve, Brigadat e Zjarrfikësve dhe Roja Bregdetare janë vendosur në gatishmëri të lartë.

"Dua të shoh një rrjedhje të vazhdueshme të ndihmës në front", u tha ai zyrtarëve.

Marcos, megjithatë, pranoi se operacionet e kërkim-shpëtimit u përballën me probleme aksesi për shkak të përmbytjeve, rrebeshit të dendur si dhe rrugëve të prishura për shkak të rrëshqitjeve të dheut.

Qytetet Naga dhe Legazpi kanë raportuar "shumë viktima, por ne nuk kemi mundur të hyjmë ende", tha Marcos në një konferencë shtypi.

Rajonet në jug të kryeqytetit Manila janë përballur me shkatërrime të rënda ndërsa stuhia kaloi Filipinet perëndimore drejt Detit të Kinës Jugore./aa