Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen ka takuar sot anëtarët e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës (BeH), në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Sarajevë.

Von der Leyen u prit në ndërtesën e Presidencës së BeH-së nga kryesuesi dhe anëtarët e Presidencës, Denis Beqiroviq, Zheljko Komshiq dhe Zheljka Cvijanoviq.

Presidentja e KE-së sot do të takohet me kryetaren e Këshillit të Ministrave të BeH-së, Borjana Krishto, me të cilën do të mbajë konferencë të përbashkët për media. Dje, Von der Leyen vizitoi Jabllanicën e Poshtme për të shprehur solidaritetin me komunitetet e prekura nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e fundit katastrofike.

Ursula von der Leyen ndodhet në një vizitë katërditore në vendet e Ballkanit Perëndimor, gjatë së cilës deri më tani ka vizituar Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën. Gjithashtu është planifikuar të vizitojë Serbinë, Kosovën dhe Malin e Zi.

Vizita është një mundësi për të diskutuar mbi progresin e partnerëve nga Ballkani Perëndimor në rrugën drejt Bashkimit Evropian (BE) si dhe planin e rritjes së BE-së prej 6 miliardë eurosh./aa