Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali tha sot se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian në vitin 2030 është i mundur.

Për Spiropalin, çelja e negociatave më 15 tetor, ishte një ngjarje historike, një dallëndyshe e parë, në rrugën europiane të Shqipërisë.

“15 Tetori ishte një datë shumë e rëndësishme për Shqipërinë, për çeljen e negociatave për kapitujt e parë “Themeloret” dhe është e rëndësishme që ne të vijojmë me konferencat e tjera ndërqeveritare, me kapitujt e tjerë dhe sigurisht kjo është një dallëndyshe e parë, por shumë e rëndësishme, një gur themeli për rrugën tonë europiane”, tha Spiropali, në një intervistë për Klan News.

E pyetur nga gazetari nëse anëtarësimi i vendit tonë në vitin 2030 është i mundur, ajo theksoi: “Absolutisht që është e mundur”./ata