Pas një bashkëpunimi të suksesshëm në luftën kundër krimit dhe trafikut të drogës gjatë verës, Mbretëria e Bashkuar ka rënë dakort për të intensifikuar partneritetin me Shqipërinë.

Zyrtarë të lartë të departamentit të Home Office do të udhëtojnë drejt Tiranës përpara Krishtlindjeve për të diskutuar në lidhje me forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe emigrimit të jashtëligjshëm.

Përgjatë verës, task-forca e nisur në vitin 2022 mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar arriti të prishë rrjedhjen e parave që vinin si rezultat i trafikut të drogës dhe punës së paligjshme. Gjithashtu, si rezultat i këtij operacioni, u sekuestruan edhe sasi të mëdha narkotikësh të llojit kokainë.

Ndërkaq, javën e kaluar, Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha u takua me homologen e tij britanike, Yvette Cooper, për të diskutuar në lidhje me avancimin e synimeve të Komandës së Sigurisë së Kufirit. Kjo komandë u krijua nga qeveria e re britanike për të zëvendësuar planin e administratës së mëprashme konservatore për dërgimine  emigrantëve të paligjshëm në Ruanda.

Gjatë takimit me homologen britanike, Ministri Hoxha u shpreh se Shqipëria “është tejet e kënaqur me rezultatet e arritura nga operacionet e përbashkëta mes agjencive ligjzbatuese shqiptare e britanike sa i përkët luftës ndaj krimit të organizuar. Ne kemi arsye të forta të besojmë se këto arritje do të rriten dhe forcohen në të ardhmen.”/Tema