Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen do të qëndrojë të shtunën në Kosovë në kuadër të turit të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor. 

Megjithëse shihet si pozitiv deklarimi i saj se në mandatin e dytë do të ketë në fokus zgjerimin e Unionit, në Prishtinë druhen se gjithçka do të kushtëzohet me procesin e dialogut.

Madje Bashkimi Europian i kërkohet që të mos kushtëzojë as fondet nga Plani i Rritjes me procesin e normalizimit të raporteve me Beogradin.

“Nuk do të doja që Bashkimi Europian ta ndërlidhte fondin e rritjes me progresin ose jo në dialogun e Brukselit sepse janë dy çështje që nuk kanë ndërlidhje dhe nuk do të duhej të kishin lidhje me njëra-tjerrën sepse rruga jonë drejt anëtarësimit në BE duhet të jetë rrugë e bazuar në merita, në përgatitje, në avancim, në zhvillim dhe në adaptim të politikave të BE-së dhe jo ndërlidhjen me ndonjë proces bilateral që mund ta ketë Kosova me Serbinë”, u shpreh analisti Gazmir Raci për A2.

Nga Beogradi ku qëndroi për vizitë Von der Leyen dhe deklarimi i saj para mediave u vu re se Serbisë nuk iu kërkua njohja e Kosovës që përbën një shqetësim para mbërritjes së saj në Prishtinë.

“Për dallim nga hera e kaluar kur e vizitoi Beogradin në tetor të vitit të kaluar ajo tashmë nuk e përmendi njohjen de fakto si kusht për Serbinë për vazhdim të negociatave për anëtarësim, mund të themi se kjo përben një lajm shumë të keq për vendin tonë pasi mund të interpretohet si një hap prapa nga znj. Von der Leyen”, shtoi Besar Gërgi.

Për këtë shihet se mund të ketë ndikuar marrëveshja për litiumin për të cilën pati hapësirë në konferencën e Von der Leyen me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.

“Mund të themi se marrëveshja e Ohrit është po ajo e njëjta, obligimet janë të njëjta por tashmë mund të shohim një hezitim nga ana e BE-së për të shtyrë përpara këtë kërkesë, këtu mund të luajë rol edhe marrëveshja me litiumin që Serbia e nënshkroi me Gjermaninë”, tha Gërgi.

Presioni për zbatimin e obligimeve nga marrëveshjet e dialogut nuk pritet të mungojë as kësaj radhe.

“Presidentja e KE nuk është e ngarkuar me çështjet e dialogut por natyrisht që në agjendë e ka edhe kërkesën për të shtyrë përpara sa më shumë zbatimin e të gjitha marrëveshjeve që dalin nga dialogu i Brukselit”, deklaroi Raci.

Në Prishtinë, Von der Leyen do të takohet me presidenten Vjosa Osmani si dhe me kryeministrin Albin Kurti./Tema