Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, qeveria ka vendosur të rrisë në mënyrë shumë agresive pagën për mjekët specialistë, ndërsa shumë shpejt do të publikohet një tjetër program i posaçëm për mjekët, ushtarakët dhe punonjësit e policisë, për të garantuar strehimin e çifteve të reja.

 

Gjatë përurimit të Spitalit Qendror në QSUT, Rama tha se, “tani kjo është një fakt i kryer dhe paga e muajit prill do të jetë 5 mijë lekë plus”.

 

“Nuk duam të ndalemi këtu. Do të rrisim pagat e mjekëve të përgjithshëm dhe infermierëve me 7% këtë vit dhe do të përgatitemi për një rritje të rëndësishme të pagës së tyre”, tha ai.

 

Por, Rama tha se, edhe kjo është e pamjaftueshme, ndaj së shpejti do të publikohet një tjetër program i posaçëm për mjekët, ushtarakët dhe punonjësit e policisë, për të garantuar strehimin e çifteve të reja.

 

“Mjekët specialistë, punonjësit e policisë dhe ushtarakët do të jenë subjekte të këtij programi ku shteti do të mbështesë kreditimin e tyre për të pasur mundësinë e marrjes së një shtëpie me kushte tërësisht të tjera nga kushtet e tregut bankar”, tha Rama.

 

Kryeministri shprehu besimin se, në këtë mënyrë do t’i jepet një tjetër motivim i rëndësishëm mjekëve të rinj.

 

Po ashtu, Rama tha se shteti nuk mund të financojë më koston e studentëve të mjekësisë që largohen nga vendi.

 

“Shqipëria nuk mund të financojë shërbimin shëndetësor gjerman. Pala gjermane shikon interesin e vetë, por ne nuk mund të cenojmë interesin tonë. Nuk mund të pranojmë që studentët të paguajnë 1/16 e kostos të studimit dhe pjesën tjetër ta mbuloj shteti me kontributet e taksapaguesve dhe në fund studenti të marri diplomën e të ikë. Ne nuk mund të ndalojmë lëvizjen e lirë, por do të bëjmë politikë tërësisht të diferencuar të kostos dhe tarifës në raport me konkretizimin e angazhimit për të qëndruar në Shqipëri për një periudhë kohe të caktuar. Besojmë se është koha që studimet të mos mjaftohen për të marrë diplomën por të duhet edhe praktika”, tha ai.