Policia spanjolle njoftoi sot se ka shkatërruar një mjet shpërthyes të rrezikshëm nga epoka e Napoleonit, transmeton Anadolu.
Javën e kaluar, arkeologët zbuluan gjylen e pashpërthyer prej 76 kilogramësh ndërsa bënin punime restauruese në kështjellën turistike Peniscola.
Kështjella mbresëlënëse me pamje nga Deti Mesdhe ndodhet në qytetin piktoresk bregdetar Peniscola në rajonin e Valencias.
E ndërtuar nga Kalorësit Templarë në mbetjet e një kështjelle të vjetër maure, në vitin 1.411, kështjella u bë rezidenca e Antipapës Benediktit XIII. Ndërsa ai u njoh pjesërisht si papë, ai nuk arriti të fitonte njohjen e Romës dhe përfundimisht u shkishërua.
Kalaja ka qenë arenë e konflikteve të ndryshme ushtarake, përfshirë luftërat e Napoleonit në fillim të shekullit të 19-të.
Ndërkaq për më shumë se 200 vjet, gjylja e pashpërthyer, e mbushur me barut të zi, ishte fshehur në strukturën e kështjellës.
Policia spanjolle e hoqi dhe e shpërtheu me kujdes. Në një deklaratë, ata thanë se ajo që ka mbetur nga gjyleja do t'u kthehet arkeologëve për studime të mëtejshme.
Policia paralajmëroi qytetarët të kenë kujdes nga pajisjet historike të pashpërthyera. Në Spanjë, ato janë më së shpeshti relike të luftës civile spanjolle dhe gjenden në zona të izoluara bujqësore ose në bunkerë poshtë shtëpive.
Kushdo që ndeshet me objekte të dyshimta këshillohet të mos i lëvizë ose t'i prekë, por t'i zbulojë ato me objekte, me gurë ose me ngjyra të ndezura dhe t'i raportojë në polici.