Familjet e pastreha në kryeqytet do të kenë mundësi që të përfitojnë subvencionim të interesave të kredisë për blerjen e një banese.

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi në fillim të tetorit të këtij viti kriteret e reja për përfituesit e programeve të strehimit social, ndërsa pritet të hapen aplikimet.

Nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Andi Seferi tha në një prononcim për mediet se “do të jenë rreth 1200 kredi, që do t’ju ofrohen qytetarëve të  Tiranës, por prioritet do të kenë këto tre kategori: bashkëshortët deri në 40 vjeç, familje të komunitetit rom dhe egjiptian,  gra të dhunuara apo me status tjetër të njohur nga gjykata. Por nuk përjashtohet asnjë familje në nevojë për të aplikuar”.

Shuma e kredisë  që një familje mund të përfitojë varet nga sa anëtarë ka dhe përllogaritet bazuar në çmimet aktuale të tregut.

“Vlera e pronës ka ndryshuar, gjë që do të thotë se duhet indeksuar dhe masa e kredisë që qytetarët përfitojnë. Masë e cila përcaktohet mbi bazën e çmimeve të reja të referencës, do të jenë kredi të qenësishme që lidhen me realitetin. Data e hapjes së aplikimeve do të bëhet publike nga bashkia e Tiranës”, tha Seferi.

Bashkë me përfituesit e  këtij viti numri i familjeve të mbështetura me kredi të butë në Tiranë në afro dhjetë vite shkon në rreth 5 mijë.

Programi i kredive të buta ka në fokus përmirësimin e kushteve të jetesës së familjeve dhe çifteve të reja, të cilat nuk kanë aftësi ekonomike të përballojnë ofertën e tregut të lirë të banesave ose atë të kredive hipotekore në treg. Qëllimi i këtij projekti është mbështetja e familjeve dhe çifteve të reja në blerjen e shtëpive, me synim përmirësimin e kushteve të jetesës së tyre./ata