Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, qeveria po bën projeksionet për të filluar një rritje graduale të pensioneve brenda mandatit të ardhshëm.

Në një takim me pensionistë të Fierit për të ndarë me ta pikëpamje për skemën e pensioneve, Rama u shpreh se, “po bëjmë dhe projeksionet për të filluar një rritje graduale të pensioneve brenda mandatit të ardhshëm”.

Rama gjithashtu paralajmëroi një tjetër masë e cila parashikon që çdo rritje ekonomike mbi parashikimin të shkojë për pensionistët.

“Jemi duke punuar dhe për një tjetër masë që do të kërkojë pak kohë për ta kalibruar, që të lidhim pensionistët me rritjen ekonomike të drejtpërdrejtë. Kjo do të thotë që, ju e dëgjoni, Shqipëria pati 3% rritje ekonomike, 3.2, 4%, 4.6, 2.8 nuk ka rëndësi. Rritja ekonomike vjetore parashikohet dhe mbi bazën e atij parashikimi ndërtohet i gjithë buxheti. Pra do të kemi këto investime. Do të kemi këto të ardhura nga taksat, do të bëjmë këto punë mbi bazën e kësaj rritjeje ekonomike dhe prandaj do të vëmë këtë buxhet”, tha Rama.

“Ne e parashikojmë, le të themi 3.5, shkon 3.7, ne e parashikojmë 3.3, shkon 3.5. Pra në çdo pjesë që rritet mbi parashikimin ne duam ta lidhim me pensionistët dhe të themi këtë do e marrin pensionistët. Çfarë del mbi parashikimin. Ka disa vende që e kanë bërë dhe ne po e studiojmë. Kjo do të ishte qershia mbi tortë, besoj unë, në këtë fazë. Sepse ne duam që çdo gjë që do të bëjmë sot të qëndrojë aty përherë. Jo e bëjmë sot, pastaj nesër e ulim, pastaj pasnesër e harrojmë që e bëmë”, theksoi Rama./ata