Më shumë se 822 miliardë lekë apo rreth 8.2 miliardë euro. Kaq do të jetë buxheti për vitin e ardhëm. Ai është mbi 51 miliardë lekë apo 6.6 për qind se sa buxheti i këtij viti.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është institucioni që do të marrë më shumë para, mbi 80 miliardë lekë, ndjekur nga Infrastruktura dhe Energjia dhe Arsimi Rinisa dhe Sporti me respektivisht 74 dhe 62 miliardë lekë, shkruan A2.

Mbi 56 miliardë lekë do të shkojnë për Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ndjekur nga ajo e Brendshme dhe Mbrojtja. Lehtë është rritur edhe buxheti për bujqësinë që përllogaritet në 14.6 miliardë lekë, ndjekur nga Ministria e Drejtësisë që do të marrë 580 milionë lekë më pak se gjatë 2024-s, raporton A2.

Vetë “Financat” do të kenë në dispozicion pak më shumë se 11 miliardë lekë.

Ndërkohë buxheti për 61 bashkitë në vend planifikohet në gati 90 miliardë lekë nga 71 miliardë lekë gjatës 2024-s. Qeveria do u japë më pak se 42 miliardë lekë njësive të pushtetit vendor, ndërsa pjesën tjetër duhet ta sigurojnë vetë, përcjell A2.

Në raport edhe me numrin e popullsisë, Tirana është bashkia që do të marrë më shumë para, mbi 6 miliardë lekë, ndjekur nga Durrësi me 2.3 miliardë, Elbasani 1.8 dhe Shkodra 1.5 miliardë lekë, zbulon A2. Mbi 1.5 miliardë lekë do t’i jepen Fierit, ndërsa Bashkia Vlorë do të marrë gati 1.5 miliardë lekë.

Një copë të madhe nga torta e buxhet do të marrë edhe Bashkia Kamëz, gati 1.4 miliardë lekë, ndjekur nga Korça dhe Lushnja.

Pusteci është ndërkohë bashkia që do të marrë më pak para nga buxheti i vitit të ardhshëm, vetëm 108 milionë lekë, ndjekur nga Libohova, Konispoli, Këlcyra dhe Dropulli. Pak para do të marrin edhe bashkitë Poliçan, Memaliaj, Fushë-Arrëz apo Finiq./A2CNN