“Përparim i kufizuar” është togfjalëshi që haset më shpesh në progres-raportin e fundit të Bashkimit Europian për Shqipërinë. Korrupsioni, ndërhyrjet politike në drejtësi, mungesa e dialogut konstruktiv dhe reformat e pamiratuara, shihen me shqetësim nga Komisioni Europian, që nënvizon se shumë nga detyrat e lëna një vit më parë nuk janë kryer. Për këtë, Brukseli e konsideron si ambicioz synimin e Shqipërisë për të mbyllur në vitin 2027 negociatat e anëtarësimit.
Shqipëria synon mbylljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian në vitin 2027, thotë Komisioni në dokumentin që i përcjell Parlamentit, teksa e konsideron si ambicioz objektivin e Tiranës zyrtare. Arsyet e këtij skepticizmi gjenden në dokumentin e progresraportit për Shqipërinë për vitin 2024, ku vendi ynë ka bërë pak progres sa i përket detyrave të lëna nga Brukseli një vit më parë.
Komisioni thekson se pavarësisht faktit se kuadri ligjor është i favorshëm për zgjedhje demokratike, nuk janë zbatuar rekomandimet e OSBE/ODIHR. Kritika ka dhe për punën e Kuvendit, ku përmend përplasjet pozitë-opozitë dhe mungesën e dialogut.
Ka pasur përparim të kufizuar në adresimin e rekomandimeve të pazgjidhura nga OSBE/ODIHR dhe Komisioni i Venecias. Veprimtaria e parlamentit u ndikua nga përplasjet e vazhdueshme midis mazhorancës qeverisëse dhe një pjese të opozitës nga tetori 2023 deri në mars 2024. Kjo reflektoi mungesën e dialogut politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës dhe rezultoi në pengimin e punimeve nga deputetët e opozitës për shkak të kufizimeve të pretenduara të të drejtave të tyre.
Progresraporti i Komisionit Evropian
Në optikën e Komisionit Evropian, puna e qeverisë çalon në disa aspekte ku theksohet fakti se janë miratuar ligje që bien ndesh me standardet e BE. Edhe sa i përket reformave në administratën publike, Komisioni Evropian nuk është i kënaqur teksa thekson se politikave të hartuara u mungon miratimi.
Një proces i ri i madh reformash për “qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030” u nis nga Parlamenti, me kërkesë të Kryeministrit, por pa mbështetje ndërpartiake. Qeveria vazhdoi të miratonte politika dhe ligje duke ngritur shqetësime në lidhje me respektimin e standardeve të BE-së. Shqipëria mbetet mesatarisht e përgatitur në fushën e reformës së administratës publike. Ajo bëri përparim të kufizuar në zbatimin e rekomandimeve të vitit të kaluar. Hartimi i reformës së administratës publike dhe strategjive kundër korrupsionit vazhdoi, por miratimi është ende në pritje.
Progresraporti i Komisionit Evropian
Komisioni Evropian sheh avancim të kufizuar edhe sa i përket gjyqësorit. Në raport denoncohet përpjekja për ndërhyrje politike gjatë procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të rinj në KLP dhe KLGJ.
Më e vlerësuara është puna e SPAK dhe nxitet që të vijohet me goditje të zyrtarëve të lartë, të përfshirë në afera korruptive, por me shqetësim shihet ligji për amnistinë penale.
Shqetësimet mbeten për tentativën për ndërhyrje politike dhe presion mbi sistemin gjyqësor dhe mangësitë në emërimet e bazuara në merita të anëtarëve jomagjistratë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe integritetit të tyre. Korrupsioni mbetet një shqetësim serioz dhe përpjekjet parandaluese kanë pasur një ndikim të kufizuar. Miratimi i ligjit për amnisti penale bëri që 40 persona të dënuar nga gjykata e SPAK të falen plotësisht dhe 65 të tjerëve iu ul dënimi, gjë që ngre shqetësime.
Progresraporti i Komisionit Evropian
Nga ana tjetër vlerësohet lufta kundër krimit të organizuar, por kërkohet më shumë punë për të siguruar pavarësinë e agjencive të pavarura ligjzbatuese. Shqipëria duhet të vazhdojë të punojë për të siguruar pavarësinë e agjencive të saj të zbatimit të ligjit, thekson raporti i Brukselit./A2CNN