Ushtria izraelite urdhëroi civilët në qytetin Baalbek, që ndodhet në Libanin lindor, që të braktisin menjëherë zonën përpara sulmeve ajrore.

Zëdhënësi ushtarak Avichay Adraee tha në X se banorët e qytetit Baalbek dhe qytezave pranë, Ain Bourday dhe Douris, duhet të largohen nga zona përmes rrugëve të përcaktuara nga ushtria izraelite.

Ai paralajmëroi se ushtria do të "operojë me forcë" në këto zona kundër atyre që ai i quan "asete të Hezbollahut".

Një qendër e rëndësishme urbane në Luginën Bekaa, qyteti Baalbek është i famshëm për rrënojat romake. Është një vend i përfshirë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe në të banojnë mbi 100 mijë njerëz.

Sulmet e mëparshme ajrore izraelite në Douris kanë shkatërruar disa vende antike në zonë.

Izraeli muajin e kaluar nisi fushatë masive ajrore në Liban kundër asaj që pretendon se janë objektiva të Hezbollahut, një përshkallëzim i rëndësishëm pas përleshjeve ndërkufitare që zgjatën një vit midis Izraelit dhe Hezbollahut, që nga fillimi i ofensivës brutale të Izraelit në Gaza.

Mbi 2.700 njerëz janë vrarë dhe rreth 12.500 janë plagosur në sulmet izraelite që nga tetori i vitit të kaluar, sipas autoriteteve shëndetësore libaneze.

Izraeli e zgjeroi konfliktin më 1 tetor duke nisur një pushtim tokësor në jug të Libanit./aa