Organizata Botërore e Turizmit të Kombeve të Bashkuara (UNWTO) ka publikuar Barometrin e Turizmit për periudhën janar-korrik 2024, ku konfirmohet së Shqipëria renditet e para në Evropë për rritjen e numrit të vizitorëve dhe e dyta në botë pas Katarit.

Në një reagim në rrjetet sociale, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka theksuar se Shqipëria kryeson në Evropë për rritjen e turizmit.

"Sipas UNWTO, nga janari deri në korrik 2024, Shqipëria është e para në Evropë për rritjen e vizitorëve ndërkombëtarë krahasuar me kohët para COVID-it, dhe e dyta në nivel global, pak pas Katarit", ka shkruar Rama.

Ndërkohë, në një njoftim nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, thuhet se një tjetër risi në barometrin e turizmit publikuar nga UN Tourism, është se për herë të parë njihet rritja e të ardhurave nga turizmi ndërkombëtar.

Sipas barometrit për periudhën janar-korrik 2024, Shqipëria renditet e para sa i takon arkëtimeve nga turizmi, me një rritje 128 për qind krahasuar me periudhën e para pandemisë./aa