Zëvendës ministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani një një intervistë në Ora News foli për arsimin profesional.

Manjani u shpreh se mesatarja e nxënësve që ndjekin arsimin profesional në BE është 48% ose 1 në 2 nxënës, ndërsa në Shqipëri ky raport vlerësohet 1 në 5 ose 20%.

Sipas zëvendës ministres, të rinjtë preferojnë më shumë teknologjinë e Informacionit, dhe hoteleri turizmin.

Manjani: Në një ekonomi tregu, çdo gjë përcaktohet nga kërkesa dhe oferta dhe aktualisht tregu i punës ka një nevojë të jashtëzakonshme për profesionistë të cilët mund të formohen në një kohë të shkurtër dhe njëkohësisht me një investim minimal në sistemin e arsimit profesional.

Këto zhvillime kanë ndikuar jo vetëm në gjetjen e një pune të sigurtë ku thuajse të gjithë nxënësit e arsimit profesional gjejnë një punë pas përfundimit të shkollës, por mbi 60% e tyre gjejnë një punë që në bankat e shkollës, apo mbi 80% nëse bëhet fjalë për degë të cilat janë shumë të kërkuara nga tregu.

Nga ana tjetër aktualisht, tregu i punës ka edhe paga shumë të favorshme për nxënësit të cilët mbarojnë arsimin profesional.

Arsimi profesional ofron një gamë shumë të gjerë programesh që janë shumë të lidhura dhe të orientuara me tregun e punës.

Aktualisht në shkollat profesionale janë 24 drejtime kryesore dhe 86 profile.

Drejtimet më të preferuara që ofrohen nga shkollat profesionale por që logjikisht janë të lidhura edhe me sektorët e ekonomisë të cilët japin një kontribut gjithmonë e në rritje në zhvillimin ekonomik janë: teknologjia e Informacionit, Hoteleri Turizmi, Ekonomi Biznesi, Elektronika dhe Termohidraulika./OraNews