Sëmundjet e zemrës janë shkaktari numër një i vdekjeve të parakohshme të miliona njerëzve në botë.

Zemra është një organ i brishtë, shëndeti i së cilës është i rrezikuar, jo vetëm nga stili i jetesës por edhe ambienti që na rrethon.

Për shembull, vetëm pak kohë më parë u zbulua se ekspozimi ndaj një ambienti të zhurmshëm apo virozat e gripit e dëmtojnë zemrën.

Rrjedhimisht, në përpjekje për ta mbrojtur atë, njeriu duhet të shqyrtojë faktorët e rrezikut dhe të ndërmarrë hapat e duhura.

Sipas informacioneve të AgroWeb.org, pikë së pari, njeriu duhet të jetë i ndërgjegjshëm për historikun e sëmundjeve të familjarëve, veçanërisht nëse bëhet fjalë për sëmundje të zemrës.

Ka shumë raste kur këto sëmundje shfaqen që në moshë të re, duke vënë në pah faktin sa e rrezikshme është predispozita gjenetike për t’u sëmurur nga zemra.

Përpos njohurive për historikun e familjes, parandalimi i sëmundjeve përfshin edhe hapa të tjerë që kanë të bëjnë me ushqyerjen dhe stilin e jetesës.

6 Këshillat Shkencore Për Të Mbajtur Larg Sëmundjet E Zemrës

Aktivitet Fizik Të Paktën 1 Herë Në Javë

Njeriu duhet të bëjë aktivitet fizik në mënyrë të rregullt dhe çdo ditë.

Megjithatë nëse nuk keni kohë, mundësi apo vullnet mjafton të bëni diçka një herë në javë.

Nëse kryeni aktivitet fizik një herë në javë, rreziku i sëmundjeve të zemrës ulet me 12 përqind.

Aktivitetet e rekomanduara fizike janë: vrapi, noti, ecja e shpejtë.

Kryeni Të Paktën 5,000 Hapa Në Ditë

Ecja konsiderohet një aktivitet fizik, sidomos nëse ecni shpejt dhe rrisni rrahjet e zemrës dhe ritmin e frymëmarrjes.

Synoni të ecni 5,000 hapa në ditë dhe kështu do të ulni rrezikun e sëmundjeve të zemrës, diabetit dhe mbipeshës.

Hani Fruta Dhe Perime

Ngrënia e frutave dhe perimeve është gurëthemeli i një regjimi ushqimor të shëndetshëm për zemrën.

Synoni të krijoni një ylber ngjyrash në tryezë me fruta dhe perime të shijshme e të shëndetshme.

Mos Pini Duhan

Duhanpirja është e keqe për shëndetin e zemrës.

Ajo konsiderohet shkaktari kryesor i sëmundjeve të zemrës, thonë studimet të cilave u referohet AgroWeb.org.

Heqja dorë nga duhani është gjëja më e mirë që mund të bësh për zemrën, sepse një gjë e tillë ul gjasat e shfaqjes së sëmundjeve me 50%.

Shmangni Sheqernat Shtesë

Shoqata Amerikane e Zemrës, sipas informacioneve të AgroWeb.org, rekomandon që meshkujt duhet të kufizojnë dozat ditore të sheqernave shtesë në 36 gramë në ditë (sa një kanaçe me pije të gazuara).

Për gratë, limiti ditor është 25 gramë.

Nëse jeni të dhënë pas këtyre produkteve, mjafton të nisni ndryshimin me hapa të vogla.

Kafenë e mëngjesit ose çajin përpiquni ta pini me më pak sheqer.

Po ashtu reduktoni sa më shume kripën.

Gjumi i qetë

Gjumi është i rëndësishëm për shëndetin e zemrës.

Ndaj që të siguroheni se do të flini mjaftueshëm, në mbrëmje hiqni dorë nga televizori, tableti apo telefoni që në vetvete janë burime domethënëse të stresit./AgroWeb.org