Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian, Silvio Gonzato i dorëzoi sot në Tiranë kryeministrit Edi Rama Raportin e Progresit 2024 për Shqipërinë.
Gonzato duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve tha se BE mbështet planin e Shqipërisë për të mbyllur të gjithë kapitujt e anëtarësimit brenda vitit 2027, duke shtuar se është diçka ambicioze.
“Komunikata që u miratua dje shpreh mbështetjen dhe gatishmërinë e Komisionit për të shoqëruar qeverinë shqiptare për të çelur të gjithë kapitujt në 2025. Është shumë ambicioze, por edhe Shqipëria është ambicioze”, u shpreh Gonzato.
“Kjo është treguar nga proceset e skanimit nga ana e BE-së, kjo është një ofertë nga ana jonë për gatishmëri dhe mbështetje, por kërkon edhe përpjekje të konsiderueshme dhe vullnet politik nga ana e Shqipërisë, por edhe gatishmërinë e shteteve anëtare për çeljen e kapitujve. Nëse shtetet anëtare janë të bindura se Shqipëria vërtet ka bërë progres dhe ka përmbushur piketat e anëtarësimit që janë të nevojshme për të kaluar në këtë fazë, jam besimplotë që mund të bëjmë progres në këtë drejtim. Jam besimplotë që mund të bëjmë progres në këtë proces, sepse kjo jep fokus dhe ofron stimul duke dhënë edhe pronësi mbi procesin që i takon Shqipërisë”, tha ambasadori i BE në vendin tonë./ata