Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla konfirmoi se sot PS është regjistruar zyrtarisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 14 Majit.

 

Në një prononcim për mediet nga Fieri, Balla i bëri thirrje të gjitha forcave politike t’i përmbahen afateve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor.

 

“Takimi i sotëm ishte për anëtarët e Këshillit Bashkiak Fier. Kemi zhvilluar proces 2-mujor për propozimet dhe kandidimet. Kemi plot profesionistë të moshave të ndryshme, fierakë me kontribut të përditshëm në jetën e qytetit, të cilët janë vetëofruar, propozuar dhe që do pasuronin parlamentin vendor, por në mënyrë të veçantë listën që do të propozojë PS për këshillin bashkiak Fier. Sot mbledhja me 600 anëtarët e Asamblesë ishte dhe përmbyllja e këtij procesi”, tha Balla.

 

Balla iu përgjigj interesimit të gazetarëve edhe mbi vendimin e djeshëm të Gjykatës së Apelit, ndërsa u shpreh se vendimet e Gjykatës nuk komentohen, thjesht zbatohen.

 

“Kur këta akuzojnë se vendimi për të shpallur ‘non grata’ Sali Berishën është marrë nga Rama ky është një turp i madh. Degradim i përditshëm i një force politike, të një politikani të vdekur. E vërteta është që këtu bëhet fjalë për një problem në familje”, tha Balla.