Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, i ftoi të gjitha vendet me ndërgjegje që të ushtrojnë më shumë presion mbi qeverinë izraelite.

Erdoğan priti me ceremoni zyrtare presidentin e Senegalit, Bassirou Diomaye Faye, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Türkiye.

Pas takimeve dypalëshe dhe takimit ndërmjet delegacioneve, Erdoğan dhe Faye mbajtën një konferencë të përbashkët për media. Ndërkohë, para konferencës pati edhe ceremoni për nënshkrimin e marrëveshjeve.

"E vlerësojmë jashtëzakonisht qëndrimin e Senegalit në çështjen e Palestinës bazuar në zgjidhjen me dy shtete", tha presidenti turk, duke folur rreth mbështetjes që Senegali i jep çështjes palestineze.

"I ftojmë të gjitha vendet me ndërgjegje që të ushtrojnë më shumë presion mbi qeverinë izraelite", shtoi ai.

Erdoğan tha se ndjekin me vlerësim qëndrimin e mprehtë të vëllezërve të tyre afrikanë, të cilët, siç tha ai "e dinë mirë se ç'do të thotë shtypja dhe masakra, kundër politikës gjenocidale të Izraelit".

"Në Afrikë, imperialistët e përjetuan se një e ardhme paqësore nuk mund të ndërtohet mbi gjak dhe masakër. E njëjta e vërtetë do të shfaqet edhe në Gaza dhe Liban", vlerësoi Erdoğan.

Duke folur mbi sulmet izraelite në Palestinë dhe Liban, Erdoğan se periudha ardhshme në rajon do të jetë shumë më problematike.

"Rajoni po shkon drejt një unaze zjarri shumë serioze. Fatkeqësisht, periudha e ardhshme në rajon do të jetë shumë më problematike", theksoi presidenti turk./aa