Kryeministri Edi Rama ka refuzuar që të komentojë arrestimin e ish-presidentit të vendit Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë, duke nënvizuar se nuk bën komente mbi subjekte të drejtësisë.

Gjatë një interviste televizive, kreu i qeverisë u pyet në lidhje me mënyrën e arrestimit të Metës, ku tha se Policia e Shtetit vepron e pavarur dhe zbaton vendimin e gjykatës. Rama shtoi me tej se nuk ekzistojnë arrestime me paraqitjen e vet, duke shtuar se ia ka lënë medias të trajtojë Metën si viktimë.

“Policia e Shtetit nuk varet nga unë. Unë nuk drejtoj Policinë e Shtetit, por ka drejtues, protokolle, dhe më pas vepron. Nuk bëj komente mbi subjekte të drejtësisë, jua kam lënë ju ta trajtoni si viktimë”, tha Rama.

“Gjëja më e lehtë për ju është të krahasoni Shqipërinë më Kolumbinë, me narkoregjimet. Ne para pak ditësh hapëm negociatat. Hapja e negociatave nuk i bëhet një vendi që është si Kolumbia, që është narko, por një vendi që skanohet me fakte jo nga gazetarë brenda vorbullës, por ekspertë që merren me atë punë”, vijoi Rama.

“Nuk bëj asnjë koment sepse nuk kam asnjë lloj interesi. Unë po flas në parim, nuk po merrem me rastin konkret, policia nuk arreston por ekzekuton vendimin e  gjykatës. Policia nuk ka asnjë tagër as të njoftojë as të zgjedhë, si kur dhe qysh pasi quhet dekonspirim ka një operacion”, tha Rama.

“Nuk ekzistojnë arrestime me paraqitje vet, mund të ndodhin nëse SPAK apo prokuroria i thërret apo arreston”, vijoi Rama.

“Fakti që nuk e komentoj nuk do të thotë se kam qëndrim kundër asaj që ka bërë Policia e Shtetit”- u shpreh Rama./ata