Pas përmbytjeve të 4 tetorit në Vlorë, bashkia e qytetit bregdetar ka nisur që në orët e para të ditës së sotme një aksion pastrimi në qytet.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha tha për mediet se “që nga momenti që u përmbyt Vlora, megjithëse reaguam në kohë, vumë re që edhe pse qyteti po pastrohet ka prezencë pluhuri, si rezultat i baltës që u krijua nga përmbytjet. Aksioni do të jetë deri në darkë në të gjitha segmentet kryesore dhe në lagjet e qytetit. Zjarrfikëset, autobotët dhe mjetet e ardhura nga bashkitë e tjera kanë ardhur dhe u janë përgjigjur thirrjeve tona”.

Kryebashkiaku Dredha bëri të ditur në aksion janë përfshirë edhe mjete nga bashkitë e tjera si, Durrësi me 3 automjete, Fieri me 2 automjete, Himara, Selenica etj.

Dredha falënderoi të gjithë ata që u bënë pjesë e këtij aksioni. “Kushdo që i bashkohet këtij aksioni është i mirëpritur për të kontribuar për një qytet më të pastër”, tha ai.

Dredha ngriti edhe një shqetësim sa i përket lënies së mbeturinave jashtë koshave.

“Vijojnë qeset e zeza që gjenerohen nga bizneset, tani nuk jemi më në pikun e sezonit, nuk ka ngarkesë, nuk ka fluks, ka kosha ku mund të hidhen plehrat, ndaj të kontribuojmë të gjithë për imazhin e qytetit. Të bëjmë çfarë të mundemi që qyteti të jetë i pastër”, tha ai.

Reshjet e pazakonta të shiut që ranë më 4 tetor shkaktuan përmbytje dhe dëme në disa biznese dhe banesa në disa zona të qytetit të Vlorës./ata