Punonjësit e arsimit organizuan një grevë në shkollat e Serbisë dhe një protestë në Beograd për shkak të pakënaqësisë me ofertën e qeverisë serbe për rritjen e pagave.
Mësimdhënësit u mblodhën në Beograd në platonë para Parlamentit të Serbisë, ku kanë paraqitur kërkesat e tyre ndërsa më pas kanë nisur një marsh proteste deri tek ndërtesa e Qeverisë së Serbisë.
Sindikatat e Arsimit kanë refuzuar dje propozimin e Qeverisë, duke kërkuar që të zgjidhet sistematikisht çështja e pagave, si dhe problemet e tjera kyçe dhe të respektohet protokolli i nënshkruar më parë.
"Jemi të pakënaqur sepse zëri ynë nuk dëgjohet, sepse në të gjitha takimet me Ministrinë e Arsimit nuk është në rend dite arsimi i lartë. Sot është, pse, sepse jemi të diskriminuar prej vitesh. Unë nuk jam juriste por Ligji i punës thotë se nuk mundet ata që kanë të njëjtën shkallë të shkollimit të marrin pagë më të ulët", tha Marina Milenkoviq, kryetare e Bordit për arsim të lartë të Sindikatës së Arsimit të Serbisë.
Sindikatat përfaqësuese nuk e pranojnë rritjen e pagave prej 11 për qind, pasi në negociatat e vitit të kaluar kanë marrë premtim me shkrim se nga fillimi i këtij viti shkollor, pagat e mësimdhënësve do të jenë të barabarta me mesataren e vendit.
Gjithashtu është bërë e ditur se të gjithë, me përjashtim të të punësuarve në institucionet e arsimit të lartë, deri më 9 janar 2025 do të marrin një ndihmë financiare të njëhershme prej 15 mijë dinarësh.
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq u bëri thirrje sindikatave që të pranojnë ofertën e qeverisë dhe t'i kthehen dialogut ekonomik dhe social, sepse greva nuk çon askund.
Sipas tij, qeveria e ka pranuar argumentin e sindikatës se nuk do të ketë ndarje në sistemin arsimor që pagat e të gjithëve të jenë 11 për qind më të larta, se deri më 9 janar iu është ofruar ndihma e njëhershme prej 15 mijë dinarësh dhe se është pranuar edhe propozimi i tyre që mësuesit të marrin edhe një për qind më tepër.
"Sipas të dhënave të marra nga administrata e shkollave, 49,58 për qind e shkollave punojnë rregullisht, 32,79 për qind e shkollave punojnë në regjim të modifikuar ndërsa në 17,63 për qind të shkollave mësimi është ndërprerë plotësisht", njoftoi sot Ministria e Arsimit të Serbisë duke shtuar se të gjitha institucionet parashkollore punojnë me kapacitet të plotë./aa