Prezenca e OSBE-së organizoi një takim informues të “Grupit Ndërkombëtar të Punës për Zgjedhjet” me disa nga shoqatat kryesore të shoqërisë civile, që punojnë në mënyrë aktive në çështjet zgjedhore.

OSBE u shpreh se një shoqëri civile e fortë, aktive dhe e pavarur është thelbësore për ruajtjen e demokracive të shëndetshme. “Zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 shënojnë një moment të rëndësishëm për shoqatat e shoqërisë civile për të luajtur një rol vendimtar në vëzhgimin e zgjedhjeve, identifikimin dhe denoncimin e parregullsive të mundshme tek institucionet përkatëse dhe në rritjen e transparencës dhe barazisë në procesin zgjedhor”, thuhet në njoftimin e Prezencës.

Shoqatat informuan përfaqësuesit e shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe të organizatave ndërkombëtare në Shqipëri mbi pikëpamjet e tyre për mjedisin aktual zgjedhor, sfidat me të cilat përballen dhe ndanë perspektivat e tyre që synojnë t’i bëjnë zgjedhjet e ardhshme më të drejta, gjithëpërfshirëse dhe aksesueshme për komunitete të ndryshme.

Shoqatat shprehën shqetësimet e tyre lidhur me përpjekjet e fundit për reformën zgjedhore, duke i përshkruar ato si të pamjaftueshme për adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe të shoqërisë civile. Gjithashtu, ato vunë në pah sfidat specifike, të përsëritura, për zgjedhjet, të cilat, nëse nuk adresohen, mund të rishfaqen në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2025.

Një theks i veçantë nga të gjithë pjesëmarrësit u vu në nevojën e forcimit të bashkëpunimit dhe mbështetjes për një angazhim kuptimplotë të shoqërisë civile në proceset e ardhshme zgjedhore.

Grupi Ndërkombëtar i Punës për Zgjedhjet është një forum i krijuar me nismën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, i cili mblidhet periodikisht për të shkëmbyer informacione dhe për të bashkërenduar qëndrimet dhe ndihmën për çështjet zgjedhore./ata