55 qytetarë nuk e kanë gjetur veten në dokumentet e Ish -Sigurimit të Shtetit ndërsa kërkojnë dokumente që vërtetojnë  vuajtjet e dënimit në kampet e internimit.

Autoriteti për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit bëri të ditur sot se këta persona janë kryesisht fëmijë që shoqëruan prindërit gjatë dënimit ose lindën në internim. Shumë prej tyre janë të traumatizuar, disa kanë bërë përpara në jetë, por të tjerë janë invaliduar dhe nuk i njihet kjo periudhë vuajtje si dëmshpërblim.

Kështu, sektori i Kërkesave të Qytetarëve dhe Shërbimeve Rehabilituese ka trajtuar një total prej 154 kërkesash gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti ku përfshihen vërtetimi i periudhës së internimit, vërtetimi i vuajtjes së dënimit me burg, informacion sipas nenit 20 të ligjit për të drejtën e informimit.

Janë 30 kërkesa për vërtetimin e kryerjes së burgimit për efekt rehabilitimi ose dëmshpërblimi; 112 kërkesa për vërtetimin e kryerjes së internimit për efekt të përllogaritjes së pensionit; 6 kërkesa, sipas nenit 20 të ligjit 45/2015 për të drejtën e njohjes me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Janë 71 kërkesa me përgjigje pozitive, 55  kërkesa pa të dhëna (fëmijë apo të lindur në internim) 12 kërkesa janë në proces.

Trajtimi i kërkesave  nga ana e specialisteve të këtij sektori nxori në pah se shumë prej qytetarëve që ishin fëmijë gjatë periudhës së internimit, e kanë të padokumentuar përndjekjen e tyre. Kjo është një barrierë që Autoriteti po punon për ta hequr, në mënyrë që edhe këtyre fëmijëve t’u njihet përndjekja dhe të përfitojnë dëmshpërblimin financiar.

Një fëmijë i rritur në internim, nën peshën e rëndë të stigmatizimit politik, si fëmijë- armik, në kushte të vështira jetese, si fizike dhe psikologjike, është i dëmtuar po aq sa prindi i tij. Autoriteti ka kërkuar ndërhyrjen e parlamentit për të garantuar drejtësinë për ta.

Zgjerimi i përfitimeve për të internuarit në kampe me tela me gjemba, për të miturit dhe të lindurit në internim po synohet të arrihet përmes  dokumentimit për të vërtetuar periudhat e internimit me burime alternative,  si dosjet e policisë dhe dëshmitë e të mbijetuarve.

Ky shërbim jetik, ofruar nga AIDSSH, jo vetëm që i ndihmon qytetarët të marrin dëmshpërblim financiar dhe të njohin vitet e punës për efekt pensioni, por është një hap drejt drejtësisë dhe rehabilitimit  për ish-të përndjekurit dhe të internuarit politik.

Dëshira për të kuptuar të kaluarën dhe për të kërkuar drejtësi është një dëshmi e fortë e angazhimit të qytetarëve për të mbajtur gjallë kujtesën e periudhave të vështira që kanë kaluar ata dhe familjet e tyre, ndaj përfundon AIDSSH, do të vijojmë punën në zbardhjen e fateve të tyre./ata