Nxënësit e shkollës “Urani Rumbo” në Gjirokastër marrin tashmë njohuri digjitale në Laboratorin e Inteligjencës Artificiale.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, e shoqëruar nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi morën pjesë sot në një orë mësimi të nxënësve të kësaj shkolle.
“Bashkë me Mirelën dhe Flamurin, në një orë interesante dhe me plot kreativitet me nxënësit e shkollës “Urani Rumbo”, të cilët po marrin njohuri digjitale në SmartLab-in e ri, një nga 300 laboratorët inteligjentë që janë investuar në shkollat tona në të gjithë vendin”, shkruan Manastirliu në një postim në rrjetet sociale.
Manastirliu u shpreh se “ky laborator është pajisur me 14 kompjutera, ku fëmijët e klasës së parë dhe të dytë po mësojnë kodimin përmes programeve interaktive dhe argëtuese”.
Mbi 35 000 nxënës të klasave të I, II dhe III po përfshihen këtë vit në kurrikulën e re të kodimit.
Ministria e Arsimit dhe Sportit është duke punuar për të riparë të gjithë kurrikulën e aftësimit digjital nga klasa I deri në klasën IX, dhe më tej në gjimnaz.
Autoritetet arsimore synojnë krijimin e mundësive që fëmijët të aftësohen për botën digjitale, duke kompletuar gjithë kurrikulën e TIK-ut dhe duke e integruar edhe në lëndë të tjera./ata