Këndi i biçikletave në Parkun e Liqenit të Tiranës është një tjetër hapësirë e bukur në kryeqytet, në dispozicion të fëmijëve për edukimin me rregullat bazë të sjelljes qytetare të sigurisë rrugore, por njëherazi dhe një mjedis zbavitës për ta.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Këndi i biçikletave në Parkun e Liqenit të Tiranës, ku shihen fëmijë të grupmoshave të ndryshme që pedalojnë, duke ndjekur sinjalistikën e rregullat e qarkullimit rrugor.

Ky kënd i bukur i projektuar me gjelbërim dhe investuar me kujdes, ku gjenden të gjitha elementet e nevojshme të sinjalistikës që shërbejnë jo vetëm për të mësuar fëmijët me rregullat e qarkullimit, ofron në të njëjtën kohë shumë relaks dhe argëtim.

Ky projekt vjen në kuadër të rritjes së ndërgjegjësimit dhe edukimit mbi sigurinë rrugore. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, vazhdon projektet e iniciativat konkrete për edukimin e fëmijëve me qëllim kryesor nxitjen e të mësuarit mbi rregullat dhe sinjalistikën e qarkullimit rrugor përmes lojës.

Procesi i të mësuarit i mbështetur në modele konkrete të sjelljes në trafik dhe i shoqëruar me shembuj të shumtë në praktikë, rrit efektshmërinë e edukimit rrugor të fëmijëve, për të kuptuar sa më qartë situatat në rrugë./ata