Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh kryeministri Edi Rama, në takimin e sotëm me komunitetin shqiptar në Selanik, deklaroi se, në Shqipëri kultura e pandëshkueshmërisë ka marrë goditjen vdekjeprurëse.
“Më kryesorja, sot dhe unë jam i bindur që në këtë pikë e ndajnë me mua këtë mendim pothuajse të gjithë shqiptarët, edhe ata që nuk ndajnë me pjesën më të madhe, pëlqyeshmërinë ndaj qeverisë, më kryesorja është se Shqipëria sot nuk është vendi më i një kaste njerëzish të fuqishëm mbi ligjin”, tha Rama.
“Kultura e pandëshkueshmërisë ka marrë goditjen vdekjeprurëse. Goditja e parë qysh nga themelimi i shtetit shqiptar në vitin 1912, sepse për herë të parë në historinë e shtetit tonë, njerëz të veshur me pushtet politik, apo të lidhur me pushtetin politik i janë nënshtruar forcës së ligjit të barabartë për të gjithë”, theksoi Kreu i Ekzekutivit.
“Pavarësisht pozicionit apo lidhje së tyre me partitë politike, qoftë në qeveri, qoftë në opozitës, ata që i kanë rënë në qafë popullit shqiptar, ata që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme nga funksionet publike, apo ata që e kanë lidhur kollaren e tyre me duart e botës së krimit, po pësojnë goditjen e një drejtësie të çliruar nga duart e pushtetit politik”, u shpreh Rama.
Rama nënvizoi se, “për të kuptuar se sa e re, për të kuptuar se sa e madhe dhe për të kuptuar se sa historike është kjo që po ndodh mjafton të kthehesh kokën mbrapsht në historinë tonë, ku nuk do të gjesh dot që nga 1912-a, as në Republikën e Përkohshme Parlamentare, as në Mbretëri, as në komunizëm, në periudhën e kalimit nga komunizmi në demokraci, deri në 3-4 vite më parë, një individ të vetëm, një me profil të lartë politik që të jetë hetuar, që të jetë gjykuar, apo të jetë dënuar nga një gjykatë e pakontrolluar nga pushteti”.
“Të gjithë ata që janë dënuar më parë, që nga 1912-a, kanë qenë të dënuar politikë të një drejtësie, e cila në të gjithë fazat historike të vendit deri pak vite më parë ka qenë e urdhëruar, e manipuluar, apo e frikësuar nga partia në pushtet. Sot drejtësia është çliruar pikërisht nga duart e partisë në pushtet”, u shpreh Kryeministri./ata