Valentina Semi, zëvendësdrejtore e Departamentit të Sistemeve të Pagesave dhe të Kontabilitetit dhe Financës në Bankën e Shqipërisë, tha se, “së shpejti pagesat do të mund të kryhen me telefon duke skanuar kodin QR”.
Semi, në një intervistë për mediet, mbi pagesat e shpejta u shpreh se , “nëpërmjet sistemit që do të funksionojë 24/7, pagesa do të kryhet brenda pak sekondave”.
Sipas saj, ky instrument pagese synon të ulë përdorimin e parasë fizike por gjithashtu do të mundësojë dhe uljen e kostove të transaksioneve për biznesin dhe konsumatorët.
“Krijojmë një rrugë të re sa i takon pagesave digjitale që është shumë më efikase dhe shumë herë më lirë edhe për biznesin edhe për konsumatorin. Përmes këtij procesi do të kemi një diversifikim të ekonomisë, përmes lëvizjes së fondeve dhe më efikas, pasi kostot nga përdorimi i këtyre instrumenteve do të jenë shumë të ulëta dhe do të lehtësojnë formalizimin në ekonomi dhe përfshirjen financiare”, theksoi Semi.
Ajo shpjegoi se në momentin që një individ kërkon të blejë një produkt, biznesi do të ofrojë një kod QR që qytetari mund ta skanojë në telefon e tij dhe të kryejë menjëherë pagesën, pa qenë nevoja të përdorë kartën bankare dhe të përdorë një terminal POS.
Ky projekt i Bankës së Shqipërisë, nisi zbatimin si një projekt pilot në tre qytete Tiranë, Dibër dhe Përmet ku 300 individë realizuan pagesa përmes aplikacionit të ofruar nga BSH-ja dhe institucioni i parasë elektronike në bizneset e vogla dhe të mesme, për një periudhë 4-mujore pranë zonave ku banojnë.
Por tashmë shumë shpejt projekti do të shtrihet dhe do të gjejë zbatim në të gjithë vendin./ata