Në rrugën Ersekë-Leskovik vijojnë me ritme të mira punimet për rikonstruksionin e saj.

 

Projekti i rikonstruksionit të kësaj rruge kushton rreth 6 milionë euro, financuar nga qeveria shqiptare dhe BERZH.

 

Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole ndau në rrjetet sociale pamje nga punimet që po kryhen në këtë rrugë.

 

Jole tha se, “ndërhyrjet synojnë të përmirësojnë cilësinë dhe sigurinë e qarkullimit duke ruajtur gjurmën ekzistuese të rrugës, të përmirësojnë lidhjen mes zonave të rajonit, komunikimin ndërkufitar dhe aksesin drejt potencialeve turistike të Kolonjës e Përmetit, për zhvillimin e turizmit dhe të ekonomisë”.

 

Rruga është e gjatë 42.67 km, gjerësia e asfaltit ekzistues është rreth 4 m, ndërsa asfalti i ri do të jetë 5 m në të gjithë gjatësinë e rrugës.

 

Prefekti Jole u shpreh se, “projekti parashikon ndërtimin e shtresave të asfaltit të rrugës ekzistuese, ndërtimin e nënshtresave (aty ku ka dëmtime të mëdha), zgjidhjen e drenazhimit të rrugës, ndërtimin e mureve mbajtëse dhe pritëse, ndërtimin e tombinove dhe veprave të artit në rrugë dhe sinjalistikën vertikale dhe horizontale”.

 

Jole bëri të ditur se, “po punohet që rikonstruksioni i rrugës të përfundojë plotësisht pranverën e vitit të ardhshëm”.

 

Rikonstruksioni i rrugës Ersekë–Leskovik synon përmirësimin e konektivitetit rajonal dhe lehtësimin e aksesibilitetit drejt potencialeve turistike të rajonit të Korçës dhe Gjirokastrës, duke sjellë zgjerimin e ofertës turistike të rajonit dhe rritje të oportunitetit për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm rajonal.

 

Projekti i rikonstruksionit do të synojë të përmirësojë cilësinë dhe sigurinë e qarkullimit rrugor duke ruajtur gjurmën ekzistuese të rrugës.