Ndërtimi i kompleksit modern për studentët e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Fakultetit të Arkitekturës po ecën me ritme të mira.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ndau sot në rrjetet sociale momente nga puna në këtë kompleks ku sipas saj, çdo detaj është menduar për të përmirësuar dhe rritur standardet e studimit në këtë universitet.

“Përmes investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe UPT, ky kompleks do të përfshijë të gjithë elementët, që nga laboratorët e avancuar, sallat e leksioneve të pajisura me teknologji bashkëkohore, bibliotekën, deri te hapësirat rekreative, duke krijuar kushte optimale për studentët dhe pedagogët”, theksoi Manastirliu.

Ky projekt vihet në zbatim në kuadër të Paktit për Universitetin, duke synuar të ofrojë hapësira moderne dhe të përshtatshme për rreth 3700 studentë.

Ndërtesa e re do të jetë një shtëpi e re për studentët, e pajisur me mjediset e nevojshme si sallat e leksioneve, laboratorët, bibliotekat dhe hapësirat rekreative, të gjitha projektuar për të mbështetur procesin akademik në fushën e inxhinierisë së ndërtimit dhe arkitekturës./ata