Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan nisi sot vitin e ri akademik 2024-2025 me disa zhvillime dhe risi të  rëndësishme, të cilat synojnë të konsolidojnë traditën akademike të universitetit dhe t’i përgjigjen në mënyrë efektive nevojave në rritje të tregut të punës dhe kërkimit shkencor.

Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan në një njoftim për shtyp thekson se rreth 1100 studentë janë regjistruar në vitin e parë për studimet bachelor. Ndërkohë që maturantët që kanë aplikuar në raundin e dytë të regjistrimeve kanë afat edhe ditën e sotme për të kryer regjistrimin në degët e shpallura fituese.

“Deri më tani Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, ka shënuar rritje në numrin total të regjistrimeve. Rritjen më të madhe, për vitin akademik 2024-2025, e ka pasur Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti i Shkencave të Edukimit. Ndërkohë që vihet në dukje një interes në rritje për programet e studimit si biznes, financë, ekonomia e drejta si dhe mësuesia për arsimin parashkollor”, theksohet në njoftim.

Ndërkohë që programet e studimit për të cilat kanë interesin më të lartë dhe që shënojnë një numër të lartë regjistrimesh në nivel institucioni, janë ato të shkencave mjekësore teknike, teknologjitë e informacionit, edukim fizik dhe sporte si dhe disa programe me karakter profesional. Për dy programe prioritare të mësuesisë, biologji-kimi dhe matematikë-fizikë, për një numër studentësh, jepen bursa të financuara nga qeveria shqiptare.

Një risi tjetër e rëndësishme për këtë vit akademik është edhe regjistrimi i studentëve nga Presheva në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”.

Kjo nismë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të ndërveprimit ndërkombëtar dhe krijimit të mundësive të reja për studentët nga rajone të ndryshme, duke forcuar rolin e universitetit si një qendër edukimi për të gjithë shqiptarët.

Sa i përket ndërkombëtarizimit, në njoftim theksohet se  “mbetet një nga prioritetet kryesore të këtij viti akademik, me zgjerim të bashkëpunimeve me institucione prestigjioze evropiane në të gjitha fushat, duke përfshirë mobilitetin e personelit akademik dhe studentëve, programet e përbashkëta dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta’.

Gjatë këtij viti ky universitet pritet të fillojë zbatimin e disa projekteve të rëndësishme në kuadër të programeve Erasmus+ dhe Jean Monnet, si dhe të arrijë sukses në aplikimet për programe të tilla si Horizon Europe, IPA Interreg dhe COST. Këto projekte i shërbejnë personelit akademik dhe studentëve për ngritjen e kapaciteteve dhe infrastrukturës universitare.

“Një nga risitë më të rëndësishme këtë vit në kuadër të ndërkombëtarizimit është Qendra Rajonale për Inovacion “EIT Raw Materials”, pranë Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”. Kjo nismë e Qeverisë Shqiptare, realizuar në bashkëpunim me Institutin Evropian të Teknologjisë dhe Inovacionit, përfaqëson një pikë kthese për promovimin e kërkimit shkencor dhe krijimin e një dialogu të frytshëm midis profesionistëve vendas dhe atyre evropianë në fushën e lëndëve të para”, nënvizohet në njoftim.

Rektorja e këtij Universiteti, Prof. Dr. Elvira Fetahu shprehet se “jemi të angazhuar për ta bërë Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, një qendër ekselence, e cila jo vetëm që i përgjigjet nevojave formuese të studentëve tanë, por gjithashtu kontribuon aktivisht në përparimin shkencor dhe social të komunitetit lokal dhe kombëtar. Iniciativat e këtij viti akademik përfaqësojnë një hap përpara drejt këtyre qëllimeve”./ata