Ndërsa qytetarët amerikanë po shkojnë në qendrat e votimit për zgjedhjet presidenciale dhe të Kongresit, në të cilat konkurrojnë kandidati republikan Donald Trump dhe ajo demokrate Kamala Harris, 51 prokurorë të përgjithshëm të lidhur me Shoqatën Kombëtare Amerikane të Prokurorëve të Përgjithshëm (NAAG) paralajmëruan kundër dhunës dhe bënë thirrje për “transferim paqësor të detyrës”.
“Pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve të së martës, shpresojmë se amerikanët do të përgjigjen në mënyrë paqësore dhe do të dënojnë çdo akt dhune në lidhje me rezultatet. Një tranzicion paqësor i pushtetit është shenjë themelore e sundimit të ligjit dhe një traditë që është në zemër të stabilitetit të kombit tonë”, thuhet në një deklaratë nga NAAG.
“I bëjmë thirrje çdo amerikani që të votojë, të marrë pjesë në debat civil dhe mbi të gjitha të respektojë integritetin e procesit demokratik”, thuhet në deklaratë, në të cilën 51 prokurorët e përgjithshëm përsëritën angazhimin e tyre për t’iu përmbajtur parimeve demokratike.
Më tej thuhet se dhuna nuk ka vend në procesin demokratik.
“Ne do të përdorim autoritetin tonë për të zbatuar ligjin kundër çdo veprimi të paligjshëm që kërcënon këtë proces”, nënvizohet në deklaratë./aa