Autoritetet gjermane kryen bastisje herët në mëngjes në të gjithë shtetin lindor të Saksonisë, duke arrestuar anëtarët kryesorë të një grupi terrorist të ekstremit të djathtë.
Të dyshuarit akuzohen për formimin e një grupi terrorist të njohur si "Separatistët Saksonë", që planifikonte të merrte kontrollin në disa pjesë të vendit, tha Zyra e Prokurorit Federal në një deklaratë.
Shtatë të dyshuar u arrestuan në qytetet Leipzig dhe Dresden, ndërsa një i dyshuar u kap në Poloninë fqinje.
Kurt H., një politikan vendas nga partia e ekstremit të djathtë AfD, ishte në mesin e të arrestuarve, sipas një raporti nga javorja Der Spiegel.
“Ky është një grup militant i përbërë nga 15 deri në 20 persona, ideologjia e të cilëve karakterizohet nga ide raciste, antisemite dhe, në disa raste, apokaliptike”, thanë prokurorët në një deklaratë, duke shtuar:
"Anëtarët e grupit ndajnë një refuzim të thellë të rendit themelor të lirë dhe demokratik të Republikës Federale të Gjermanisë".
Hetuesit besojnë se grupi po përgatitej për një skenar të "Ditës X", bazuar në besimin e tyre se Gjermania ishte në prag të "kolapsit".
Ata parashikuan që në këtë ditë, megjithëse koha e saktë e saj mbetet e pasigurt, shteti dhe shoqëria do të shpërbëheshin. Në këtë skenar, grupi dyshohet se kishte planifikuar të përdorte forcën e armatosur për të marrë kontrollin e zonave në Saksoni dhe shteteve të tjera të Gjermanisë Lindore.
Qëllimi përfundimtar i të dyshuarve ishte të krijonin një shtet dhe shoqëri të stilit nazist, dhe ata gjithashtu planifikonin të kryenin "spastrim etnik" për të larguar grupe të caktuara nga zonat që do të kontrollonin.
Prokurorët deklaruan se grupi bëri "përgatitje të vazhdueshme për ndryshimin e parashikuar dhe të dhunshëm të qeverisë", ndërsa anëtarët e grupit angazhoheshin vazhdimisht në stërvitje paraushtarake teksa mbanin veshje luftarake.
Sipas zyrtarëve, grupi praktikonte në mënyrë specifike luftën urbane, përdorimin e armëve të zjarrit, marshimin e natës, si dhe patrullimin.
Për më tepër, ata blenë pajisje ushtarake, duke përfshirë veshje kamuflazhi, helmeta luftarake, maska gazi dhe jelek antiplumb.
Arrestimet erdhën mes shqetësimeve në rritje për ekstremizmin e djathtë në Gjermani, veçanërisht në shtetet e ish-Gjermanisë Lindore. Autoritetet kanë shtuar përpjekjet për të luftuar terrorizmin e ekstremit të djathtë pas një serie sulmesh të profilit të lartë në vitet e fundit./aa