Në kuadër të raportimit të rregullt mbi të Drejtat e Njeriut, një delegacion zyrtarësh shqiptarë raportuan në kuadër të takimit mbi Rishikimin Periodik Universal (UPR) për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ambasadorja e Shqipërisë pranë OKB-së, Vasilika Hysi, dhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Megi Fino, zëvendësministri i Drejtësisë Tedi Dobi prezantuan angazhimin e Shqipërisë për njohjen dhe zbatimin e normave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Delegacioni shqiptar raportoi për reformat të ndërmarra në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut, duke dëshmuar përkushtimin për një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.

“Kjo nismë reflekton përkushtimin tonë për të harmonizuar legjislacionin e brendshëm me standardet ndërkombëtare, ndërkohë që mbështet një bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë civile. Shqipëria përparon drejt ndërtimit të një shoqërie të drejtë dhe gjithëpërfshirëse, me qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve në disa fusha kyçe”, thuhet në njoftimin e MEKI-t.

Konkretisht Shqipëria dëshmoi angazhimin në drejtim të punësimit dinjitoz dhe gjithëpërfshirës; arsimit dhe formimit profesional për të rinjtë; riintegrimit social; mbrojtjen nga diskriminimi; sigurinë dhe shëndet në punë; strehimin social dhe programe kulturore gjithëpërfshirëse.

“Këto masa përbëjnë themelet e përpjekjeve tona për një Shqipëri të drejtë dhe të denjë për çdo qytetar”, thuhet në njoftimin e MEKI-t./ata