Komisioni për Politikën e Jashtëm ka miratuar në parim projektligjin për aderimin e Shqipërisë në Protokollin Ndërkombëtar për të drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, hartuar në Nju Jork.
Zëvendësministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, tha se ky projektligj synon të forcojë mbrojtjen e të drejtave ekonomike, sociale dhe kulturore të qytetarëve shqiptarë.
“Në vitin 2008 OKB ka miratuar paktin funksional për aderimin në të drejtat ekonomike, sociale kulturore i cili ofron një mekanizëm për individët, grupet apo shtete palë që pretendojnë shkelje të të drejtave të të njohura në paktin ndërkombëtar për të drejtat drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore.
Rezoluta është miratuar nga OKB në 2013 dhe përgjatë këtyre viteve kemi punuar për përgatitjen e legjislacionit dhe propozimin e këtij projektakti që do t’i mundësojë grupeve të interesit, qytetarëve apo edhe shtetit tonë që të reagojë për të mbrojtur të drejtat ekonomike, sociale e kulturore, qoftë të grupeve këtu apo qoftë të qytetarëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë”- u shpreh Musabelliu.
Sipas tij, ky projektligj do t’u mundësojë individëve dhe grupeve të interesit të adresojnë shkeljet e të drejtave ekonomike, sociale dhe kulturore, pasi të jenë shfrytëzuar të gjitha hallkat e gjyqësorit shqiptar.
Musabelliu theksoi se ky mekanizëm është i ngjashëm me Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ai gjithashtu vuri në dukje se projektakti nuk sjell kosto financiare për qytetarët.
“Ky projekt akt nuk përfshin asnjë kosto financiare. Qytetarët apo grupet e interesit mund t’i adresojnë këtij komuniteti vetëm pasi i janë ezauruar të drejtat të brendshme. Është bërë diskutimi çështjeve në çdo hallkë të gjyqësorit shqiptar, është një mekanizëm i ngjashëm siç është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut e BE-së”- u shpreh Enkelejd Musabelliu.
Deputeti socialist Etjen Xhafaj, në cilësinë e relatorit, theksoi do të krijohet një “mekanizëm shtesë për shtesë për mbrojtjen dhe sigurimin e të drejtave të njeriut, për ata që janë grupet më të ekspozuara ndaj shkeljeve, siç janë personat me aftësi të ndryshe, gratë, fëmijët dhe minoritete, për të respektimin dhe mbrojtjen e këtyre të drejta./ata